
Milani ka regjistruar fitoren e radhës në kampionat, teksa sot ka mposhtur Romën me shifrat 2-0 në transfertë. Kuqezinjtë e Piolit vazhdojnë të jenë të pamposhtur në kampionat edhe pas javës së 11-të.
Në “Olimpico” ishte një sfidë e luftuar nga të dyja ekipet, por Milani u tregua më i saktë në rastet që kishte. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e kuqezinjve, falë golit të Zlatan Ibrahimovic në minutën e 26-të, nga goditja e dënimit.
Pjesa e dytë, nisi përsëri me skuadrën e Piolit në sulm, teksa ishte përsëri Ibrahimovic që shënoi, por goli i suedezit u anulua për pozicion jashtë loje. 7 minuta më vonë, ishte përsëri Ibrahimovic protagonist, teksa këtë herë fitoi penallti, e cila u shndërrua në gol nga Kessie.
Në minutën e 66-të, Milani mbeti me 10 lojtarë, pasi Theo Hernandez u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë. Nga kjo përfitoi Roma, që u hodh në sulm për golin, të cilin e gjetën në minutën e 93-të. Madje iu afruan edhe golit të barazimit, por Tatarusanu bëri një super pritje ndaj Carles Perez në fund.
Me këtë fitore Milani qëndron në krye së bashku me Napolin me nga 31 pikë, 7 pikë më shumë se ndjekësit e Interit, me të cilët kuqezinjtë përballen javën e ardhshme. Ndërkohë Roma mbetet në vendin e katërt me 19 pikë.



