
Elseid Hysaj foli para mediave, në prag të ndeshjes që Shqipëria do të luajë me Hungarinë. Mbrojtësi u shpreh se gjithë vëmendja e skuadrës është te ndeshja me Hungarinë dhe për Poloninë do të mendojnë vetëm pas kësaj ndeshje. Në fjalët e tij, Hysaj tha gjithashtu që shpreson që ekipi ta mendojë si shumë të vështirë ndeshjen me Hungarinë, për të bërë më të mirën dhe të marrin maksimumin.
“Ndeshja me Hungarinë? Skuadra është gati për këtë ndeshje. Në ndeshjen e kaluar luajtëm shumë mirë. Jemi përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme dhe mendoj se jemi gati. Me Poloninë kemi gabuar ne. E thamë edhe pas ndeshjes, që gabuam në disa raste. Megjithatë ne jemi përgatitur vetëm për Hungarinë. Pas kësaj ndeshej do të mendojmë për Poloninë. Ne shkojmë vetëm për 6 pikë. Ne jemi shumë të motivuar për të shkuar dhe t’i fitojmë të dyja ndeshjet.
Unë duhet të jap maksimumin, të mos bëj gabime dhe shpresoj të jap ndonjë top për Cikalleshin që të shënojë. Nuk besoj që do kemi presion. Shpresoj që çunat ta marrin si shumë të vështirë këtë ndeshje. Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe të shkojmë të marrim maksimumin.”, u shpreh Hysaj.



