
Presidenti i Dinamos, Ardian Bardhi, në një komunikim të fundit, ka folur për situatën aspak të mirë në skuadrën kryeqytetase. Ai deklaroi se në ekip ka një ngërç psikologjik, por shtoi se skuadra duhet të reflektojë menjëherë, duke shtuar se lojtarët me përvojë duhet të marrin më shumë përsipër.
Bardhi tha gjithashtu se në rrugën e investimeve madhore garanton që asgjë nuk e lëkund nga ideja dhe angazhimi për ndërtimin e Dinamos së madhe, kompetitive dhe produktive në çdo aspekt.
“Duke qenë koshient për situatën jo të mirë që po kalon skuadra në kampionat, me mosarritjen e rezultateve që nuk përligjin investimin e deritanishëm e të vazhdueshëm gjykova të ndalem në këtë komunikim publik.
Si president i këtij klubi që ka nisur një rrugëtim të gjatë me investime e projekte në të gjithë kapilaret e tij sportive e infrastrukturore, konstatoj një ngërç psikologjik në ekip. Megjithatë, kam besim që një situatë e tillë do të stabilizohet menjëherë pasi kapacitetet e skuadrës nuk janë të tilla për këtë pozicion ku Dinamo është tani!
Skuadra duhet të reflektojë menjëherë qetësi psikologjike duke prodhuar jo vetëm lojë, por rezultat! Njëherësh futbollistët me më përvojë duhet të marrin përgjegjësitë e tyre për pjesën e mbetur të sezonit, për të kthyer skuadrën në binarët e rezultateve pozitive!
Kam besim që një situatë e tillë do të kapërcehet dhe në fund të sezonit skuadra dhe unë bashkë do i nënshtrohet një analize të thellë për gjithçka sezoni prodhoi. Besimi i shpërdoruar rrugës ka dëmtuar arteriet e kësaj skuadre qe gjithsesi është nisur në një rrugë për të shkuar ku e ka vendin!
Dinamo është një markë e rëndë, një fanellë me peshë specifike historike dhe gjithkush duhet ta kuptojë se ajo nuk e ka vendin këtu.
Si president i këtij klubi në rrugën e investimeve madhore garantoj që asgjë nuk me lëkund nga ideja dhe angazhimi im për ndërtimin e Dinamos së madhe, kompetitive dhe produktive në çdo aspekt. Asnjë rrymë periferike nuk mund ta cenojë kurrsesi presidentin dhe klubin në kthimin e Dinamos së madhe!
Ftoj tifozerine të vazhdojë ta mbështesë këtë skuadër sepse Dinamo është shtëpia jonë e përbashkët!”



