
Neevis Hasani është renditur në vendin e tretë në Kampionatin Ballkanik të Karatesë.
Në një garë të fortë mes sportistëve më të mirë të rajonit, Hasani ka arritur të ngrejë lart jo vetëm emrin e trajnerit të tij, Bekim Basha, por edhe të gjithë Shqipërisë.
I ftuar në studion e “Zgjohu me MCN”, së bashku me trajnerin Bekim Basha, ata ndanë emocionet e këtij sporti, si edhe angazhimin që kërkon stërvitja dhe rruga drejt sukseseve.
Neevis Hasani:
Sa i takon pjesës së stërvitjes, trajneri është shumë i rreptë, por jashtë saj ai bëhet njësh me ne, si vëlla, si mik.
Një ditë, vëllai im filloi stërvitjen dhe më pas vazhdova edhe unë, kështu e nisa karrierën.Në fillim ka qenë e vështirë, sepse kam pasur humbje, por më pas u rendita i dyti në Ballkan dhe ja ku jam sot.
Varet nga tipi i sportistit: ka nga ata që demoralizohen nga një humbje, por ka edhe të tjerë që vazhdojnë pavarësisht gjithçkaje. Unë jam nga ata të grupit të dytë, çdo humbje më ka dhënë shtyrje përpara.
Paradite jam në shkollë, ndërsa pasdite mundohem të bëj ushtrime. Pas mësimit shkoj direkt në stërvitje. Këtë rutinë e ndjek prej 5 vitesh, diku mbi 4 orë stërvitje në ditë.
Fitoren e fundit ia dedikoj familjes sime që më ka përkrahur në çdo hap, si edhe trajnerit tim që është një shtysë shumë e madhe për mua. E ardhmja ime është te karateja.
Bekim Basha
Jam trajner, po edhe pak më shumë se kaq. Jam i rreptë me Neevisin dhe me të tjerët, por mundohem të rikuperoj atë mungesë disipline dhe serioziteti që në kohën tonë na ka munguar.Neevisi ka një cilësi që e veçon, është jashtëzakonisht i disiplinuar dhe i gatshëm të bëjë çdo sakrificë. Shkollimi është i domosdoshëm dhe për këtë jam i rreptë edhe si trajner.
Emocioni si trajner është shumë i madh, madje edhe më i madh sesa kur garoja vetë si sportist.
Jam krenar për Neevisin, por pres akoma më shumë nga ai.



