Trajneri i Partizanit, Orges Shehi, foli për mediat, në prag të sfidës, që skuadra e tij do të luajë këtë të diel ndaj Erzenit. Shehi deklaroi se eliminimi nga Kupa ka shkaktuar hidhërim të madh, por shtoi se ndaj shijakasve do të kërkohet me çdo kusht fitorja.
Tekniku i të kuqve, zbuloi gjithashtu edhe dy mungesa të rëndësishme në mesfushë, si Rrapaj dhe Mehmeti.
Sigurisht pas asaj ndeshje në Kupë hidhërimi ka qenë i madh, por në futboll ka dinamika dhe nesër vjen ndeshja tjetër , kompeticion tjetër që kërkon vlerësim maksimal. Duhet impenjim për tu rikthyer edhe te rezultatet e mira. Për fat të keq grupi nuk është i plotë. Përpos mungesave që dihen, do të mungojë Rrapaj sikurse kemi humbur edhe Mehmetin, ndërsa pjesa tjetër është e gatshme për ndeshjen e nesërme.
Ne jemi të ndërgjegjshëm që duhet të bëjmë maksimumin për tu rikthyer te fitorja, duke mos menduar për atë që ka kaluar. Është e dhimbshme por ajo që ka ndodhur është fakt dhe duhet të përqendrohemi te ndeshja e nesërme. Pas ndeshjes, por edhe këto ditë te lojtarët mërzitja ka qenë prezente. Jemi munduar që ta kalojmë, të fokusohemi te ndeshja ndaj Erzenit dhe mendoj që të gjithë do të japin maksimumin për tu rikthyer te fitorja.
Mungesa e Rrapajt nesër është vetëm për arsye shëndetësore, pasi pezullimi është ezauruar dhe klubi ishte i gatshëm që të paguante për ta pasur Rrapajn në fushë.
Jemi koshient që futbolli vendoset nga episodet. Të dyja skuadrat kanë luajtur 120 minuta. Ne kemi një ndryshim, pavarësisht se kemi luajtur një ditë më përpara se Erzeni, kemi zhvilluar dy ndeshje në fushë sintetike, pra ngarkesa është akoma më e madhe. Këto ditë jemi munduar që të freskojmë skuadrën, por mendoj që për të dy ekipet lodhja do të jetë prezente.
Ne kërkojmë që të fitojmë nesër për t’ju afruar kreut. Pas një fitore në kampionat dhe një eliminimi në Kupë kërkojmë që të rikthehemi te fitorja pa menduar statistikat si janë.



