
Vllaznia zhvilloi një kampionat të shkëlqyer këtë sezon, teksa i surprizoi të gjithë, duke luftuar për titullin deri në ndeshjen e fundit të kampionatit dhe gjithashtu arritën të fitojnë Kupën e Shqipërisë.
Duke parë ecurinë e shkëlqyer të kuqebluve, drejtuesit shkodranë kanë nisur nga puna për të rinovuar kontratat me ata që ishin pjesë e suksesit të arritur. Ditën e sotme klubi shkodran ka njoftuar rinovimin e kontratës me trajnerin Elvis Plori. Ky i fundit ishte në rolin e ndihmësit të trajnerit Brdaric gjatë sezonit, teksa tashmë ka rinovuar kontratën dhe do të vazhdojë të jetë pjesë e Vllaznisë sezonin tjetër.
Ka qenë vetë sponsori Alban Xhaferi, i cili i ka ofruar kontratën e re edhe për sezonin tjetër teknikut shkodran. Pas përfundimit të kampionatit, Xhaferi tha se trajneri Brdaric do të jetë në krye të skuadrës edhe sezonin e ardhshëm, por ende nuk ka një njoftim zyrtar mbi rinovimin e kontratës.
Ditën e djeshme në mediat kosovare kanë qarkulluar zëra se tekniku gjermano-kroat ka arritur marrëveshjen me Ballkanin, për të marrë drejtimin e tyre në sezonin e ardhshëm, por ende nuk ka një konfirmim për këtë nga njëra prej palëve dhe në këtë situatë, mbetet në kuadrin e thashethemeve.



