
Të Kombëtarja e 21-vjeçarëve vazhdojnë përgatitjet për dy ndeshjet e muajit qershor, atë ndaj Andorrës të vlefshme për kualifikueset e Europianit dhe miqësorja me Bullgarinë.
Lista e Shpresave ka pësuar sërish ndryshime ditën e sotme. Të fundit që kanë braktisur grumbullimin, janë mbrojtësi Ramen Çepele dhe mesfushori Jurgen Çelhaka. Të dy futbollistët kanë shfaqur probleme fizike dhe për këtë arsye është vendosur që të mos jenë më në grumbullim, për të mos rrezikuar më tepër.
Në këto kushte, trajneri i kuqezinjve, Alban Bushi ka thirrur në ekip futbollistin e Teutës, Ledio Beqja. Ky i fundit i është bashkuar Kombëtares U-21 ditën e sotme dhe ka nisur stërvitjen me pjesën tjetër të grupit.
Shqipëria e 21 vjeçarëve do të luajë ndeshjen e parë eliminatore të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian në transfertë ndaj Andorrës, më 4 qershor ndërsa katër ditë më vonë do të zhvillojë një ndeshje miqësore ndaj Bullgarisë, po në transfertë.



