Kukësi ka korrur fitoren e dytë radhazi në kampionat, teksa ditën e sotme ka mposhtur me rezultatin 3-1 Kastriotin, në “Elbasan Arena”.
Një fitore e rëndësishme kjo për verilindorët, që tashmë pas dy javëve të para të kampionatit, kryesojnë renditjen me pikë të plota.
Për sa i përket ndeshjes, krutanët kaluan të parët në avantazh në minutën e 26-të, falë një supergoli të shënuar nga Arbër Basha.
Skuadra e Longos vendosi baraspeshën në minutën e 39-të, teksa këtë herë ishte Edison Ndreca, i cili me një gjuajtje të fortë nga jashtë zone, e ndali topin në fundin e rrjetës.
Pjesa e dytë nisi menjëherë me gol, me Edi Basa, i cili përmbysi rezultatin në minutën e 47-të. Ishte i njëjti autor që shënoi edhe golin e tretë për Kukësin në minutën e 70-të, duke vulosur shifrat në 3-1.



