
Trajneri i Bolonjës, Sinisha Mihajloviç, vuan nga leuçemia. Mihajloviç e bëri të ditur këtë fakt në një konferencë shtypi krah drejtorit të ekipit, Valter Sabatini dhe mjekut Xhani Nani.
“Doja t’ua jepja vetë këtë lajm. Juve, skuadrës time dhe njerëzve që më ndjekin. Kam bërë disa analiza dhe mjekët kanë zbuluar disa anomali. Është leuçemi. Kur ma thanë, mu shemb bota. Kam qëndruar i mbyllur në dhomë për dy ditë, duke qarë. Të kalon e gjithë jeta para syve. Por mua në jetë, askush nuk më ka dhuruar asgjë. Këtë sfidë do ta fitoj dhe shpresoj të dal prej saj një njeri më i mirë dhe më i pjekur”, ka thënë ai.
Ndërkohë, drejtuesit e ekipit thonë se nuk do ta ndërpresin kontratën me trajnerin, pavarësisht sëmundjes.
“Jemi pranë tij në çdo moment. Ai është njeriu që ka në dorë Bolonjën dhe do ta mbajë deri në fund të kontratës”, është shprehur drejtori Sabatini.
Ndërkohë, jashtë sallës ku u mbajt konferenca e shtypit, një grup tifozësh ishin mbledhur me banderola në mbështetje të Mihajloviç.
Nisur nga përvoja, ish-futbollisti serb ka përcjellë mesazhin e tij lidhur me rëndësinë që ka parandalimi i sëmundjeve përmes kontrolleve të herëpahershme.



