
Javët e fundit sulmuesi Lautaro Martinez po ndiqet me shumë seriozitet nga Atletico Madridi . Traineri Diego Simeone kërkon ta ketë pjesë të ofensivës për të formuar një dyshe ëndërrash me Luis Suarez. Argjentinasi ka informuar disa nga lojtarët që nuk bëjnë më pjesë në planet e tij për sezonin vijues dhe tani për tani emrat që qarkullojnë janë Moussa Dembele dhe Joao Felix .
Pavarësisht se para disa javësh zikaltërit ishin afër rinovimit të kontratës me sulmuesin nga Bahia Blanca gjërat nuk shkuan siç priteshin në Milano , skuadër e cila është në një rrezik serioz në lidhje me aspektin ekonomik dhe duhet menjëherë të aplikojë shitjet e disa prej lojtarëve të rëndësishëm për të rifituar pozicionin e mëparshëm i cili do ti lehtësojë rrugën e të ardhmes .
Kaosi i shkaktuar tek Interi ka vetëm këtë zgjidhje dhe drejtuesit e italianëve e kanë vënë në dijeni Atleticon dhe sipas As kërkojnë 90 milionë euro për golashënuesin . Por paraprakisht kryeqytetasit janë të detyruar të shesin dhe emrat e deklaruar nga ‘’ Cholo ‘’ janë Saul Niguez , Lemar dhe Lodi me të cilët do të rikuperohej një pjesë e rëndësishme që do të vihej në dispozicion për transferimin e 23 vjeçarit në ‘’ Wanda Metropolitano ‘’.
Lautaro Martinez mbetet një lojtar i frikshëm në metrat e fundit të fushës dhe i plotëson kushtet e bashkombasit të tij por me këtë situatë të përjetuar nga kampionët në fuqi të Scudettos parashikohet se presidenti Enrique Cerezo nuk do të dorëzohet deri sa t’ia plotësojë dëshirën teknikut më të suksesshëm të historisë së Atleticos .
Me fitimin e La Ligas peticioni i Diego Simeones tingëllon si detyrim për presidencën e spanjollëve sepse për të mbajtur nivelin e treguar deri në javën e fundit të kampionatit duhen përforcime cilësore që i garantojnë Atleticos mbarëvajtjen në çdo kompeticion dhe sidomos të ketë mundësi alternimi për ti dhënë hapësirat e nevojshme lojtarëve që të japin 100 % në fushë .
Atletico do të kërkojë të jetë protagonist absolut i merkatos verore sepse ka arritur të ndryshojë identitetin në një sezon tepër të luftuar që me shumë meritë e ka konkluduar me sukses .



