
Sulmuesi Timo Werner, u transferua me bujë te Chelsea në vitin 2020, por aventura me londinezët zgjati vetëm dy sezone.
Në sezonin e dytë, gjermani kishte probleme të shumta, ndërsa nuk ishte zgjedhje e parë e trajnerit Tuchel, çka solli edhe largimin e lojtarit në verën e 2022.
Në lidhje me këtë ka folur vetë Werner, i cili nuk i ka kursyer akuzat ndaj ish-trajnerit, duke thënë se për të rëndësi kishte vetëm të kënaqte sulmuesin tjetër, Romelu Lukaku.
Kam pasur dy sezone të shkëlqyera, fillimisht me Leipzig dhe më pas me Chelsea. Luajta pothuajse çdo ndeshje në sezonin e parë, duke fituar Champions League-n dhe duke shënuar në gjysmëfinale kundër Real Madridit. Kam shënuar shumë gola, por e gjithë kjo u harrua nga trajneri dhe nuk ishte aspak e drejtë.
Një nga arsyet pse më duhej të kthehesha në Leipzig, ishte se doja të argëtohesha përsëri. Në fund të fundit është krejtësisht normale që një trajner i pëlqen më shumë disa lojtarë, duhet ta pranosh këtë. Për të ishte më e rëndësishme të kishe një sulmues si Lukaku të kënaqur.



