
Trajneri i Partizanit, Ilir Daja ka folur para mediave, në prag të sfidës që skuadra e tij do të luajë ditën e nesërme ndaj Teutës. Tekniku kryeqytetas ka vlerësuar kundërshtarin, por shtoi se skuadra e tij futet në fushë vetëm me një qëllim, për të marrë fitoren.
Më tej Daja komentoi edhe momentin në të cilin ndodhet Partizani, duke thënë se siguria deri tani është vetëm loja që ka treguar skuadra.
“Kemi krizë rezultatesh pasi Partizani nuk është mësuar me këto rezultate. Në fushë kemi bërë mirë pasi nuk jemi dominuar nga asnjë kundërshtar. Duke analizuar fazën e parë, disa skuadra kanë qenë më stabël, por vendi i 3-të në klasifikim nuk është më larg se 4-5 pikë. Ajo që na jep garanci është loja dhe se kundërshtarët nuk kanë bërë një lojë më të mirë se ne. 80% e ekipeve kanë përjetuar atë që kemi përjetuar dhe ne.
Opsioni i vetëm i Partizanit ndaj Teutës është fitorja. Jemi mbledhur dhe kemi thënë se të gjithë bashkë duhet ta kalojmë këtë krizë. Teuta është një skuadër cinike dhe nëse i lë hapësira të godet. Duhet të jemi të gjithë bashkë nesër për të mos i lënë hapësira Teutës.
Ndryshimi i skemave nuk ka të bëjë me ndryshimin e madh të manovrës, por me lojtarët që kemi në dispozicion. Në 4-4-2 nuk mund të fusësh në sulm një mbrojtës të djathë, unë nuk jam nga ata trajnerë që i fus lojtarët në fushë dhe t’i them bëni çfarë të doni. Këto ndryshime kanë ardhur pasi kemi pasur lojtarët të dëmtuar dhe nga dëshira për të fituar.
Nuk them që kanë gabuar lojtarët e rinj apo të vjetër pasi kemi gabuar të gjithë. Presionin e gabimeve e ndjejnë më shumë lojtarët e rinj, por ajo që më kënaq më shumë është se Partizani me Dajën apo Dajën ka një të ardhme të sigurt.
Tifozët janë të dëshpëruar për rezultatet ashtu siç jemi dhe ne. Unë dhe skuadra jemi koshient që tifozët kanë të drejtë për rezultatet. Nuk jam dakord që ata duan vetëm rezultatet dhe jo lojën e mirë. Futbolli luhet për tifozët dhe duhet t’i bësh që të jenë sa më afër. Ne duhet të flasim në fushën e lojës që ata të jenë në stadium. Ne luajmë për tifozët, jemi me ata dhe vuajmë njësoj si ata këto rezultate jo të mira.
Kemi të njëjtin kontingjent lojtarësh si ndaj Laçit, ndërsa pjesa tjetër që ishte jashtë me Laçin do të mungojnë sërish pasi nuk janë ende gati. Kemi humbur me Teutën, pasi humbja tjetër ka qenë në javën e 6-të. Kemi pësuar humbje nga Teuta dhe të gjithë e dinë si kemi humbur. Nesër do të provojmë gjithçka për të marrë 3 pikëshin dhe mënyra e vetme është që të jemi të gjithë bashkë në këtë ndeshje. I druhem Teutës pasi ka lojtarë që në momente të caktuara bëjnë mirë. Kjo nuk do të thotë që kemi frikë, por i respektojmë e kjo do të thotë që ne do të jemi të pozicionuar drejtë në fushën e lojës”, u shpreh Daja.



