Trajneri Nevil Dede, në emisionin “Skaner” në MCN TV, tha se shtyrja e ndeshjes së Dinamos me Kukësin, ishte fat për kryeqytetasit, pasi afrimet e reja në skuadër kishin më shumë kohë për t’u përshtatur.
Dede tha gjithashtu se ndeshja ishte përgatitur nga të dyja skuadrat për të mos u humbur.
“Lajmi i mirë është që Dinamo fitoi, ndaj një kundërshtari të fortë. Triumfi i Dinamos i bën mirë Superiores. Lajmi i dytë është Simoni që nuk pëson për herë të 3-të. E shpëtoi në 3 raste në fund Dinamon. Rikthimi i Lilajt dhe Denisson janë afrime të mira.
Dinamo ishte pragmatiste. Ishte një ndeshje e përgatitur për të mos u humbur. Kukësi pas pësimit të golit shtyu pak më përpara, me disa raste. Entuziazmi i Dinamos u pa me afrimet e reja. Dinamos i vinte përshtat që ta bënte kështu ndeshjen.
Shkëmbi hoqi Ibraimin dhe kjo tregon se e mendoi të barabartë ndeshjen. Fati i madh ishte edhe shtyrja e ndeshjes. Dinamo fitoi kohë për blerjet e reja dhe për përshtatjen.”, u shpreh Dede.



