Luciano Moggi sa herë flet trazon “shpirtrat” në futbollin italian. Së fundi ish-drejtuesi i Juventus-it është ndalur tek kriza që po përjeton futbolli apenin e cila kulmoi me moskualifikimin në finalet e Botërorit si dhe ka zbuluar prapaskenën e mbërritjes së Ventura-s në drejtimin e axurrëve. “Duhet të shkonte te Lazio, pastaj ata thirrën Simone Inzaghi-n nga Salerno dhe atë e dërguan në kombëtare”, ka zbuluar ish-drejtuesi bardhezi gjatë një interviste për programin La7 “Piazza Pulita”.
“Hyn Lotito? Këtë mund ta kuptojnë njerëzit. Rastisa në hotel “Quadrifoglio”, kur erdhi drejtori i Salernitana-s me Ventura-n dhe pak më pas Lotito. Pastaj Tavecchio lajmëroi se cili do të ishte trajneri i Italisë: e dija më parë që do të ishte Ventura. Lotito është i zoti, por dëmin e bëri shumë të madh. Presidenti tjetër pas Tavecchio-s? Andrea Agnelli”.
Më pas Moggi rrëfen një anekdotë mbi takimin e tij me tashmë ish-trajnerin axurr: “Isha në tribunë për Milan-Juve dhe Gian Piero erdhi të më përshëndeste. Më tha: “Do të të fitoj”. Por çfarë do të fitonte? I thashë se duhet vetëm të motivonte dhe të çonte përpara atë që kishte nisur Antonio Conte. Je i zoti ta bësh? Jo, unë nuk e besoj”. Italia është një kombëtare tek e cila duhet të ketë drejtues të aftë që ndihmojnë trajnerin. Ventura nuk ka fituar kurrë kampionate, gjithmonë ka patur skuadra të mesit të tabelës dhe poshtë”.
Për sa i takon kombëtares italiane, aktualisht këshilltari kryesor i presidentit Gaz Demi te Partizani, u shpreh: “Në sektoret e të rinjve është treguar një kujdes i pakët dhe aty ka shumë të huaj. Është e keqja e futbollit italian, duhet shmangur futja e të huajve që janë zgjedhje e dytë. Unë merrja Trezeguet, Henry, Zidane, lojtarë që mund të bënin diferencën. Futbolli italian ishte më i shëndetshëm. Nuk ka mirënjohje për ata drejtues. Me mua fitoheshin Botërorë, dhe që atëherë jemi eliminuar në raundin e parë, ose nuk u kualifikuam fare”.



