Boksierët e Kosovës nuk janë lejuar që të hyjnë në territorin e Serbisë ku do të merrnin pjesë në kampionatin botëror që do të mbahet në Beograd nga data 24 tetor-6 nëntor. Autoritet serbe u kanë kërkuar sportistëve të Kosovës të heqin nga fanellat simbolet kombëtare, gjë që nuk është pranuar. Pas kësaj ngjarje ka reaguar menjëherë edhe ekipi kombëtar i Shqipërisë, i cili ka vendosur të mos marrë pjesë në këtë kompeticion nëse Kosova nuk lejohet.
Në një lidhje skype për MCN TV kapiteni i ekipit të boksit të Shqipërisë, Nelson Hysa konfirmoi edhe një herë vendimin e ekipit të Shqipërisë duke shtuar se nëse s’merr pjesë Kosova do të tërhiqen.
“Mbrëmë na kanë komunikuar shokët tanë nga ekipi i Kosovës që janë ndaluar në kufi dhe nuk po i lënë. Jemi munduar të flasim me organizatorët në Serbi dhe na kanë thënë që po punohet për këtë. Gjoni me pjesëtarët të federatës së Boksit në botë kemi menduar ta paraqesim këtë shqetësim dhe mund të bojkotojmë dhe ndeshjen nëse Kosova nuk pranohet. Për të marrë këtë vendim jemi të shtyrë nga ndjenja e atdhetarizmit dhe padrejtësisë që po i bëhet Kosovës. Të shikojmë si do shkojnë gjërat por shpresojmë për një marrëveshje për të zgjedhur çështjen. Kemi komunikuar me të gjitha instancat, por është një bisedim që është bërë nga Zef Gjoni i cili ka deklaruar që të bojkotojmë pavarësisht penalizimeve që mund të kemi. Vazhdojmë të kemi atë mendim, nëse s’merr pjesë Kosova edhe ne do të tërhiqemi”, tha Hysa.



