
Gazetari i sportit, Edi Hajdini, në studion e MCN live, komentoi fazën e tretë të Superiores.
Sipas Hajdinit, surpriza më e madhe në këtë fazë, ishte Kastrioti, që me ecurinë e fundit është edhe më mirë se Tirana, por edhe Dinamo, që ka zhgënjyer dhe tashmë është me një këmbë në Kategorinë e Parë. Ai u shpreh se tashmë gara më e fortë do të jetë për mbijetesën.
Ishin ndeshjet e radhës, por për fazën ku është kampionati, ishin të rëndësishme. Surpriza ishte humbja e Vllaznisë ndaj Kastriotit, një rezultat i pa menduar më parë, për shkak të asaj që kërkonin dy skuadrat në prag të kësaj përballje.
Duket që gjërat nuk po shkojnë mirë te Vllaznia, pas largimit të Brdaric. Kastrioti i ka surprizuar të gjithë me rezultatet e fundit. Krutanët me ecurinë e fundit, janë edhe më mirë se Tirana kryesuese.
Beteja më e fortë tashmë është për mbijetesën, me skuadrat e vendeve të fundit. Për hir të së vërtetës, në fazën e katërt ecin me llogari dhe ka edhe lëshime.
Faza e tretë prodhoi atë që nuk e priste askush. Dinamo me një këmbë në Kategorinë e Parë, ashtu si Skënderbeu. Dinamo e ndërtuar për objektiva të mëdha, por mbajnë vendin e parafundit.



