Apolonia ka prezantuar këtë të enjte trajnerin e ri. Drejtimi i skuadrës fierake i është besuar spanjollit Yeray Rodriguez Rodriguez. Ky i fundit kishte nisur punën prej kohësh, por vetëm sot ka ardhur zyrtarizimi. Përveç trajnerit të ekipit të parë, Apolonia i ka besuar spanjollëve edhe drejtimin e ekipit U-19. POSTIMI I APOLONISË: Takim i Kryetarit të bashkisë Fier, Armando Subashi me stafin e ri drejtues teknik të FK Apolonia. Figura të shquara të sportit dhe me eksperiencë shumëvjeçare në ekipe të njohura të futbollit evropianë dhe më gjerë do të jenë në krye të ekipit tonë të futbollit. Yeray Rodriguez Rodriguez që sot do të jetë trajneri i ekipit të parë të Apolonisë, duke sjellë në Fier përvojën e tij të vyer në vende të ndryshme, si: Spanjë, Kinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe; Miguel Gandia Monton, do të jetë drejtues i përgatitjes fizike dhe atletike, pasi ka punuar më parë për ekipe si: Barcelona, Real Zaragoza, Cordoba C.F. dhe skuadrën kombëtare të futbollit të Indonezisë; Javier Moros Barrera do të jetë trajner i Ekipit U19, me përvojë si trajner moshash në shtetet: Spanjë, Francë, Kinë dhe Kenia. Falë këtyre ndryshimeve, shpresojmë rezultate më të larta për Apoloninë në sezonin e ri sportiv.



