
Ilkay Gundogan, është zyrtarisht një lojtar i Barcelonës. Mesfushori turko-gjerman, u largua nga Manchester City si futbollist i lirë, pasi i përfundoi kontrata dhe do të vazhdojë karrierën në La Liga. Në fjalët e para si futbollist i katalanasve, Gundogan, deklaroi se gjithmonë e ka pasur ëndërr ta veshë fanellën e Barcelonës, ndërsa shtoi se dëshiron ta ndihmojë skuadrën për ta rikthyer atje ku e meritojnë. “Nëse do të lëvizja, ka vetëm një klub në botë që kishte kuptim. Ishte Barcelona ose asgjë. Që kur isha i vogël, ëndërroja ta vishja këtë fanellë një ditë. Jam i bindur se më kanë mbetur edhe pak vite në nivelin më të lartë dhe dua të ndihmoj ta kthej Barcelonën atje ku meriton të jetë. Do të jetë një ribashkim me mikun tim të vjetër Lewandowski dhe jam i emocionuar që do të luaj nën një trajner tjetër që e kam admiruar për një kohë të gjatë. Kur Xavi dhe unë folëm për projektin, më dukej shumë e natyrshme. Unë shoh kaq shumë ngjashmëri mes nesh si personazhe dhe në mënyrën se si e shohim lojën.”, u shpreh Gundogan.



