
Në një cikël të veçantë shkrimesh për gratë e fuqishme të botës që janë bërë zotëruese të fatit e të udhës së tyre, BBC-ja ka portretizuar edhe shqiptaren kosovare Arineta Mula, alpinisten që pushtoi Everestin.
Alpinistja kosovare Arineta Mula po i pushton malet një e nga një.
Lindi më 1988, në një kohë të turbullt të Kosovës ku shqiptarët dhe serbët ishin përfshirë në konflikte dhe përjetoi kohën e luftërave jugosllave të cilësuara si më vdekjeprurëset në Evropë që nga koha e Luftës së Dytë Botërore.
Pavarësisht rrethanave tejet të vështira në të cilat ajo u rrit, Mula arriti të pushtojë një nga majat më të larta në botë, Everestin.
Ajo u bë një alpiniste e famshme që në moshë të re, 18 vjeç, kur sapo kishte nisur studimet në Prishtinë.
Pasioni për ngjitjen lindi papritur, nga sugjerimi i një miku të saj. Që nga ngjitja e parë ajo nuk u ndal më.
“Çdo fundjavë do të isha diku në ndonjë mal të Kosovës”, tregon ajo.
Edhe pse e rritur në Ballkan ku përgjithësisht gratë kanë role më tradicionale dhe të jesh alpiniste nuk është diçka e zakonshme ajo ndoqi ëndrrën e saj. Sipas Bankës Botërore, vetëm 18% e grave janë të punësuara. Që pas lindjes së saj, i ati emigroi në Zvicër dhe ndenji atje, kështu që e ëma i rriti e vetme fëmijët e saj. Përpjekjet e saj për të mbijetuar bashkë me fëmijët, i lanë shumë mbresë së bijës.
“Ndieja se ajo luftonte pareshtur e ndonjëherë ndiej sikur edhe unë luftoj pa reshtur“, shprehet ajo.

Në mars të vitit 1999, kur Mula ishte 10 vjeç, familja e saj u dëbua nga shtëpia nga serbët. U përpoqën të gjenin rrugë ikjeje, por pa rezultat derisa përfunduan në pallatin e sportit të qytetit, Pejës.
“Mbaj mend erën e naftës dhe njerëzit që thoshin se do të na digjnin të gjallë aty brenda. Me këtë mendim ndenjëm gjer të nesërmen kur na lanë të lirë”, tregon ajo, duke shtuar se kish dëgjuar që Nato po kërcënonte Serbinë se do fillonte bombardimet nëse nuk i linte shqiptarët të lirë. Gjë që nuk vonoi të ndodhte.
Sipas vëzhguesve të të Drejtave të Njeriut rreth 80% e shtëpive në Pejë qenë shkatërruar. I ati u kthye dhe në shtartin e vdekjes I la amanet që të vazhdonte universitetin në Prishtinë.

Në Prishtinë ajo jo vetëm mbaroi studimet dhe filloi punë, por nisi edhe eksplorimin e maleve. Pas vitit 2015 kapërceu kufijtë e vendit të saj e vijoi në Ballkan e më gjerë, si Mont Blanc, pikën më të lartë të Evropës Perëndimore.

Kur Kosova nisi përzgjedhjen e skuadrës së parë për ngjitjen e Everestit, Mula luftoi që të mund t’i bashkohej grupit të alpinistëve që ishin të tërë djem.
Pavarësisht paragjykimit dhe refuzimit të disa prej tyre ajo këmbënguli që t’u bashkohej me ta.
“Gratë trajtohen ndryshe në Everest. Burrat dëgjopheshin, kurse unë jo. Megjithatë nuk besoj se ishte e qëllimtë. Janë shumë të pakta gratë alpiniste.
Paragjykimi vazhdoi edhe kur u kthye në Kosovë: “ Të lumtë, por ishe me fat që të kishe nëj burrë që të ndihmonte. Më shqetësonte megjithatë u bëra pjesë e skuadrës së parë alpiniste me forcat e mia”, thotë ajo.

Pas Everestit, Arineta i vuri qëllim vetes që të tregonte se alpinistet nuk duhet të gjykohen ndryshe nga alpinistët.
Në gusht të vitit 2017, ajo organizoi ngjitjen e saj në Eiger nëpërmjet Mittellegi Ridge në Alpet Zviceriane. Guida e saj u befasua që skuadra e saj bëri për dy ditë ngjitje, dhe i tha se kishte lindur për ngjitje.
Në po të njëjtin vit ajo ngjiti Ama Dablam 6,812m në Nepal me një skuadër të gjithën femërore.
“Një ngjitje e vështirë teknike, por unë u ndjeva e lirë dhe pa komplekse në një mjedis që nuk mbizotërohej nga burra”, tha ajo.
Ngjitjen, që normalisht merr 4 javë, Mula e bëri për 8 ditë.
“U ndjeva mirë që munda t’u tregoj të tjerëve që mund të nëja gjëra pa pasur me vete një bashkëpunëtor burrë prej vendit tim”.

Arineta tashmë është një yll i sportit të ngjitjes në Kosovë dhe Ballkan.
Më 2018, ajo iu bashkua skuadrës së guidës së “Balkan Natural Adventure” që udhëheq ngjitje në Ballkan.
Virtyt Gacaferri, një nga krijuesit e “Balkan Natural Adventure” thotë se:
“Barazia gjinore, nuk është diçka me të cilën krenohemi në vendin tonë. Shpresojmë se prania e Arinetës në skuadër do t’i ndihmojë gratë e tjera të motivohen e të ndjekin ëndrrat e tyre”.
Kosova dhe Shqipëria e mbështesin të dyja veprimtarinë e Arinetës. Kosova ka sponsorizuar shumë nga ngjitjet e saj, Shqipëria e ka pajisur me pasaportë dhe ëkshtu ajo mund të idhëtojë edhe në vende që nuk e njohin ende Kosovën. Ajo shkon ën ngjitjet e saj me të flamujt e të dyja vendeve.
Në gusht të vitit 2018, ajo ngjiti vetëm malin më të lartë të Evropës Elbrus (5,642m), në Rusi, për tri ditë.

Arineta ndihet si në shtëpi, e mirëpritur kudo në majat e Ballkanit, qoftë Theth, qoftë Doberdolin e vetmuar, qoftë gjithkund.

Edhe pse qe amaneti i të atit që e shtyu të ndiqte universitetin ku gjeti dhe pasionin për ngjitjen, Arineta quan nënën frymëzimin e forcën e saj. "Ajo pati shumë vështirësi në jetë, por gjithmonë na mësoi si t’i kapërcejmë ato", shprehet ajo.
"Pozicioni i grave të Kosovës është më i mirë në ditët e sotme. Kemi më shumë të drejta, mund të ndjekim ëndrrat tona dhe të bëjmë ato që duam, po ajo që kemi të përbashkët dhe na lidh me brezat e shkuar është forca e brendshme e natyrshme për t’u përballur me sfidat e jetës”, thotë Arineta. /Sipas BBC, përgatiti Erina Çoku/



