
Pas plot 173 ditëve jashtë fushave të blerta, mesfushori danez, Christian Eriksen, është rikthyer të shijojë kënaqësinë e futbollit, teksa ditën e sotme ka zhvilluar stërvitjen e parë.
Në ndeshjen e Europianit, mes Danimarkës dhe Finlandës, mesfushori pësoi një atak kardiak, duke ngjallur panik. Për fat të mirë, pas ndërhyrjes së mjekëve, futbollistit iu shpëtua jeta.
Thuajse 6 muaj pas asaj ngjarje, Eriksen është rikthyer në fushë, ku ka nisur stërvitjen. Eriksen ndodhet në Adalen të Danimarkës bashkë me familjen e tij dhe seancën stërvitore e ka kryer në kompleksin stërvitor në klubit të Odenses, klub në të cilin fantazisti është rritur.
Një lajm i mirë ky për të gjithë futbolldashësit, që në Europian ishin në ankth për gjendjen e 29-vjeçari.
Futbollisti aktualisht është me defribilator në zemër dhe kjo ia bën të pamundur të luajë me Interin, pasi në Itali ndalohet diçka e tillë. Megjithatë pak rëndësi ka nëse luan apo me një klub tjetër, e rëndësishme është që Eriksen tashmë po i kthehet jetës normale dhe të bëjë atë që do më shumë, të luajë futboll.



