
I ftuar në emisionin “SportZone” në MCN TV, presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, foli për rihapjen e basteve sportive.
Ylli deklaroi se projektligji ka shkuar në zyrat e KOKSH, ndërsa shtoi se të ardhurat nuk do të shkojnë në buxhetin e shtetit.
Gjithashtu ai zbuloi edhe si do të bëhet ndarja e parave, ku sipas tij pjesa më e madhe do të shkojnë për sportin.
Na erdhi projektligji në zyrat e KOKSH, kemi bërë një mbledhje të KE ku i kemi informuar anëtarët. Po bëjmë takime me grupe federatash, për t’i shpjeguar draftin. Unë mendoj se duhen ftuar edhe ish-kompanitë e basteve që kanë qenë, sepse kanë ekspertë që dinë çfarë është serveri, dinë si luhet dhe si mbrohet. Duhet bërë me kujdes, që të mbrojmë fëmijët që të mos luajnë dhe këta që luajnë jashtë, të mos ndodhë më. Është më mirë që familja të kontrollojë fëmijët, të mos luhet në të zezë dhe të mos futen më njerëz në burg, sepse basti është një ves dhe vesi nuk mbyllet me ligj, por me standarde.
Nga bastet në vitin 2017-2018, sporti merrte 45-50 milionë euro, por kurrë nuk i shkuan sportit, pasi shkonin në buxhetin e shtetit. Tani duhet të rikuperojmë kohën e humbur, sepse duhet t’i japim sportistëve, sepse kemi olimpiadën përpara. Duam t’i grumbullojmë, të ketë mjekësi. Shqipëria nuk ka pasur kurrë kaq shumë kampionë sa këtë vit. Ligji është bërë i mirë për sportistët elitarë, por duhet më shumë vëmendje për sportin elitar, për volejbollin dhe për basketbollin.
Mirë do ishte që çdo federatë të përgatisë stafin me kuadro për tu futur në ekipet sportive, por mundja dhe shtanga janë sporte specifike. Nëse nuk kanë një trajner profesionist, mund t’i thyhet shtylla kurrizore një fëmije.
Lajmi është që paratë nga bastet nuk do të hynë në buxhetin e shtetit. Do futen të agjencia që do i menaxhojë. E ka planifikuar ligji. Do ketë edhe përfaqësues nga Ministria e Financave, nga e Arsimit, nga ministria e Përkrahjes Sociale, nga presidenti i KOKSH dhe presidenti i FSHF. Kjo është agjencia e lojërave të fatit, nuk është mbyllur kurrë. Kure paratë të mblidhen, do bëhet shpërndarja. Pjesën më të madhe do e marrë sporti, pjesën tjetër Rinia nga teknologjia dhe pjesën tjetër kultura. Këto para siç do vijnë, janë për këto gjëra, nuk do hyjnë në buxhet. Nëse shkojnë në buxhet, më mirë mos bëhet fare.



