
Shqipëria do të luajë miqësoren me Arabinë Saudite më 26 tetor dhe për këtë sfidë, trajneri Edoardo Reja, ka grumbulluar disa lojtarë nga kampionati shqiptar.
Në lidhje me këtë, në emisionin “SportZone” në MCN TV, ka folur gazetari i sportit, Edi Hajdini, i cili tha se është momenti i duhur që lojtarët e kampionatit shqiptar të bindin trajnerin Reja për ndeshjet e radhës.
Hajdini deklaroi se priste që në listë të ishin edhe lojtarë si Cara i Partizanit apo edhe Ismajlgeci i Tiranës, të cilët kanë treguar formë të mirë.
Është grumbullim i duhur për lojtarët e kampionatit shqiptar, që iu ka ardhur momenti I duhur dhe do japin maksimumin për të bindur Rejën për ndeshjen e nëntorit. Nuk do kemi mundësinë ta shikojmë ndeshjen, sepse nuk do të transmetohet në asnjë vend. Madje ndeshja do të luhet edhe pa tifozë.
Më pëlqen që në listë është edhe mbrojtësi i Bylis, Stiven Janku. Prej sezonesh është një nga pikat e forta për ballshiotët. Sivjet ka qenë një nga më të fortët në Superiore. Më kënaq ta shikoj në listën e Kombëtares, duke pasur parasysh edhe moshën e tij. Do doja që në listë të ishte edhe Ismajlgeci, apo edhe ndonjë lojtar i Kukësit.
Po ashtu edhe Cara ka edhe një rritje në formën e tij, ndoshta meritonte një ftesë nga Kombëtarja.
Do jetë interesante edhe dyshja Skuka-Xhixha në sulm. Ndoshta ndonjë nga presidentët mund të mendojë t’i bëjë bashkë në një skuadër të dy këta lojtarë.
Sportistët e grumbulluar e dinë që kjo ndeshje do të jetë nën vëzhgimin e Rejës. Janë shanset e mëdha që dikush nga lojtarët të arrijnë të lënë shenjë dhe të jenë të grumbulluar për dy sfidat e tjera miqësore në nëntor. Në listë ka futbollistë që e meritojnë të jenë në listë edhe për ndeshjet e tjera.



