
Niveli i shkëlqyer i Martin Zubimendit me Real Sociedadin prej kohësh i ka vënë në lëvizje drejtuesit e Arsenalit për ta transferuar në ‘’ Emirates ‘’ gjatë merkatos vijuese.
Spanjolli ka ditur të jetë deçiziv tek bardheblutë dhe ka fituar me meritë një vend edhe në kombëtaren e Spanjës.
Për 25 vjeçarin ‘’ Topchinjtë ‘’ do të tentojnë përsëri pasi është prioritet për bashkombasin Mikel Arteta, i cili po bën një punë për tu vlerësuar.
Përveç londinezëve, edhe Barcelona bashkë me Liverpoolin i kanë trokitur në derë, ç’ka do të thotë se do të jetë një sfidë shumë e luftuar për mesfushorin.
Gjatë karrierës Martin Zubimendi i ka qëndruar besnik Real Sociedadit, skuadër e cila e ka ndihmuar në të gjitha etapat si lojtar profesionist dhe tanimë është e natyrshme që të jetë i pretenduar nga ekipet e famshëm.
Paraprakisht, drejtuesit e ekipit nga San Sebastian kanë përcaktuar një klauzolë prej 60 milionë eurosh për nxënësin e Imanol Alguacil, shifër mëse e justifikuar, njëkohësisht e konsiderueshme.
Megjithatë, për ta bindur të lërë ‘’ Reale Arenan ‘’ dhe të transferohet në ‘’ Emirates ‘’ do të jetë një çështje e ndërlikuar për arsye të lidhjes së ngushtë me ekipin e zemrës.
16 sfida dhe 1 gol numëron Martin Zubimendi në sezonin aktual, një vlerë e shtuar në mesfushë, shumë i rëndësishëm edhe tek kampionët në fuqi të Europës.



