Shkak, ndalimi i flamurit dhe simboleve shtetërore/ Kosova tërhiqet nga Kampionati Evropian i Karatesë në Qipro

Shkak, ndalimi i flamurit dhe simboleve shtetërore/ Kosova tërhiqet nga Kampionati Evropian i Karatesë në Qipro

Mbi 1.000 garues morën pjesë në Kampionatin Evropian të Karatesë për kadetë, juniorë dhe grupmoshën U21, i cili u mbajt gjatë fundjavës në Limasol të Qipros. Megjithatë, në këtë ngjarje madhore kontinentale munguan karateistët e Kosovës.

Federata e Karatesë e Kosovës vendosi të tërhiqet nga Kampionati Evropian pasi autoritetet e Qipros, shtet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ndaluan përdorimin e flamurit dhe simboleve shtetërore të Republikës së Kosovës. Pjesëmarrja pa simbole shtetërore nuk ishte opsion për palën kosovare.

Federata kosovare kishte marrë konfirmim javë më parë se sportistët e saj nuk do të lejoheshin të garonin me të drejta të barabarta me përfaqësuesit e vendeve të tjera. Kjo erdhi pas komunikimit zyrtar me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Qipros, Federatën e Karatesë të Qipros dhe Federatën Evropiane të Karatesë (EKF).

Vendimi për ndalimin e simboleve shtetërore u mor nga Qeveria e Qipros dhe u pranua nga EKF, çka bëri që karateistët kosovarë të mbeteshin jashtë garës që nisi të premten dhe përfundoi të dielën. Përfaqësuesja e Kosovës nuk u lejua të paraqitej në mënyrë të barabartë, ndaj u vendos që ekipi të mos udhëtonte për pjesëmarrje.

Në një letër të datës 16 janar, Ministria e Punëve të Jashtme e Qipros sqaroi arsyen e këtij vendimi:
“Republika e Qipros nuk e njeh pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës. Marrë parasysh këtë fakt, Republika e Qipros nuk lejon përdorimin e simboleve që mund të nënkuptojnë njohje.”

Komunikimi i sekretarit të përgjithshëm të Federatës së Karatesë së Kosovës, Nazmi Gashi, kishte nisur më 12 janar me sekretarin e përgjithshëm të EKF-së, Davor Cipek, i cili kishte theksuar se pjesëmarrja e Kosovës varet nga rregullat e përcaktuara nga autoritetet qipriote.

Më 20 janar, Federata kosovare pranoi edhe një letër nga presidenti i Federatës së Karatesë të Qipros, Fotis Marathovouniotis, ku thuhej se qeveria e Qipros nuk lejon shfaqjen e flamurit, himnit apo simboleve shtetërore të Kosovës. Në të njëjtën letër, propozohej që Kosova të merrte pjesë nën simbolin e Federatës së Karatesë së Kosovës, pa elemente shtetërore.

Tri ditë më pas, kryetari i Komitetit Organizativ të EKF-së, Marton Falusi, njoftoi se federata evropiane është e obliguar t’i respektojë ligjet e Qipros dhe se një zgjidhje e mundshme do të ishte pjesëmarrja e Kosovës nën emrin dhe flamurin e federatës sportive, propozim që u refuzua nga pala kosovare.

Federata e Karatesë e Kosovës e cilësoi këtë formë përfaqësimi si të pabarabartë dhe diskriminuese.

Ky nuk është rasti i parë që Kosova përballet me një situatë të tillë në Qipro.

 Edhe tre vjet më parë, në Kampionatin Evropian për kadetë, juniorë dhe U21, karateistët kosovarë nuk u lejuan të paraqiteshin me të drejta të barabarta dhe atëherë, në vend të garimit, ata kishin qëndruar në tribuna.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy