Brazili ka shpallur tri ditë zie për ndarjen nga jeta të legjendës së futbollit, Pele, ndoshta lojtari më i madh i historisë, i cili u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 82-vjeçare.
Ai vlerësohet se ka shënuar një rekord botëror 1,281 gola në 1,363 paraqitje gjatë një karriere 21-vjeçare, duke përfshirë 77 gola në 92 ndeshje për vendin e tij.
I vetmi lojtar që fitoi Kupën e Botës tre herë, duke ngritur trofeun në 1958, 1962 dhe 1970, Pele u shpall Lojtari i Shekullit nga FIFA në 2000.

Pele vuante nga problemet e veshkave dhe prostatës vitet e fundit. Ai iu nënshtrua një operacioni për të hequr një tumor nga zorra e trashë në shtator 2021 në spitalin Albert Einstein në Sao Paulo, pasi tumori u zbulua në testet rutinë. Ai u ripranua në spital në fund të nëntorit 2022.
Vajza e tij Kely Nascimento i ka mbajtur fansat të përditësuar për gjendjen e babait të saj me përditësime të rregullta në rrjetet sociale nga spitali.
Të enjten ajo postoi një foto të duarve të familjes së Pele në trupin e tij në spital dhe shkroi: "Gjithçka që jemi është falë jush. Ne ju duam pafundësisht. Pusho në paqe".
Spitali konfirmoi se Pele vdiq "për shkak të dështimit të organeve të shumta, si rezultat i përparimit të kancerit të zorrës së trashë lidhur me gjendjen e tij të mëparshme klinike".





