
Ish-futbollisti i Kombëtares, Ermal Tahiri, tha se ndeshja që Teuta zhvilloi në barazimin pa gola me Bylis, është një nga më të mirat që ka parë këtë sezon nga durrsakët.
Në emisionin “Skaner” në MCN TV, Tahiri u shpreh se ballshiotët kanë probleme me finalizimin, pasi rastet i krijojnë.
U bë një lojë e bukur dhe e fortë. Bylis nuk e nisi si ndeshjet e tjera, ishin të kujdesshëm. Krijuan raste në të parën, por pjesa e dytë ishte më e mirë për Bylis. Kishin raste të mira për të shënuar, por pa finalizim. Është një problematikë kjo. Kanë lojtarë të mirë para, por nuk po arrijnë dot të shënojnë.
Sa i përket Teutës, është një nga ndeshjet më të mira që kam parë. Luajtën mirë, deri në sulm, dolën rrjedhshëm. Kishin raste edhe me 10 lojtarë. Nuk u kthyen mbrapa për të mbajtur rezultatin. Në pjesën e dytë u hap shumë loja dhe u bë më e bukur. Barazimi është rezultati që i takonte kësaj sfide.



