Duke komentuar vizitën e ditës së nesërme të presidentit të UEFA-s, Aleksandër Ceferin në Shqipëri, Ylli Aga tha se ai vjen në vendin tonë për të treguar kufijtë e futbollit.
Në “Skaner” në MCN TV, Aga deklaroi se në rast se do të ishte për finalen e Conference League, Ceferin mund të dërgonte persona të tjerë.
“Do jetë një vizitë që do të bëhet me nxitim dhe jashtë parashikimeve. Është diçka e keqe për futbollin. Nëse do të ishte vetëm për finalen e Conference League, mund të kishte dërguar të tjerë. Ne jemi ende në nivel hipotezash. Ai vjen për të treguar kufijtë që ka futbolli, të cilat janë prekur nga politika dhe duhet të tërhiqet.”, u shpreh Aga.
Ai foli edhe për kampionatin, ku tha se Tirana ka një bonus për titullin kampion, për shkak të diferencës me ndjekësit.
“Ne tani mund të bëjmë një profil të qartë, për ambiciet dhe objektivat e çdo skuadre. Në sytë e të gjithëve, janë ato 4 skuadrat e para, që do të ndajnë vendet në Kupat e Europës. Ka qenë një pjesë e parë me shenjën e Tiranës. Besoj që ka një bonus të madh për të fituar titullin kampion.”, deklaroi Aga.



