Mesfushori i Tiranës, Ardit Deliu, ka folur për mediat, para ndeshjes që bardheblutë do të luajnë ditën e nesërme ndaj Erzenit.
Deliu u shpreh se skuadra ende nuk e ka arritur maksimumin, por u shfaq optimist, duke thënë se shumë shpejt Tirana do jetë në krye.
I pyetur për ftesën e Kombëtares, Deliu deklaroi se e priste, duke thënë se të gjithë ata që janë ftuar e kanë merituar.
Gjithë lojtarët e gatshëm janë në gjendje të mirë fizike dhe jemi gati për ndeshjen.
Normalisht që për tifozët do të jetë pak e vështirë pasi luajmë pak larg në Elbasan por besoj që mesa mundësi të kenë ata do të vijnë dhe nuk do të jetë problem.
Erzeni ka bërë mirë në këtë nisje të kampionatit, por çdo ndeshje është e vështirë dhe besoj se duke e vlerësuar maksimalisht, do të arrijmë të marrim edhe maksimumin. Besoj që akoma nuk e kemi arritur maksimumin si skuadër sepse kanë ardhur disa lojtarë të rinj siç jam edhe unë por e përgjithshmja është pozitive. Jemi në vendin e dytë 1 pikë larg Partizanit dhe shpresoj se shumë shpejt do të jemi në krye.
Ftesa nga Kombëtarja është ëndrra e çdo lojtari. E kam pritur ftesën dhe tani ishte momenti i duhur. Shpresoj që të gjithë ne të Superligës të paraqitemi sa më mirë. Të gjithë ata që janë ftuar besoj se e kanë merituar pasi kanë bërë mirë në kampionatin shqiptar dhe jo më kot i ka ardhur edhe ftesa.



