Egnatia u rikthye te fitorja në kampionat, pasi mposhti 2-3 Bylisin në transfertë, në ndeshjen e vlefshme për javën e 23-të në Abissnet Superiore.
Të gjithë golat e sfidës u shënuan në pjesën e dytë, me ballshiotët që kaluan të parët në avantazh me Xhonatan Lajthia në minutën e 47-të.
Pas këtij goli, ndodhi edhe përmbysja. Në minutën e 55-të, VAR-i akordoi penallti për Egnatian dhe karton të kuq për Damcevskin e Bylisit.
Jackson u tregua i saktë dhe vendosi baraspeshën. Egnatia kaloi në avantazh me golin e Raphael Dwamena në minutën e 64-t. Sotiq Atanda realizoi golin e tretë për skuadrën nga Rrogozhina në minutën e 84-t.
Ndërkohë që realizimi i Aleksander Trumcit në minutën e 88-të shërbeu vetëm për statistika për Bylisin.
Sa i përket renditjes, Egnatia mban vendin e katërt me 34 pikë, ndërsa Bylis zbret në vendin e parafundit me 26 pikë.



