
Juventusi e ka nisur me fitore sezonin e ri në Serie A, teksa mposhti me rezultatin e pastër 3-0 Sassuolon në ndeshjen e parë të kampionatit.
Afrimi i kësaj vere, Angel Di Maria ishte menjëherë protagonist në debutim, teksa zhbllokoi shifrat me një gol të bukur në minutën e 26-të dhe dha asistin te goli i tretë i shënuar nga Vlahovic në minutën e 51. Sulmuesi serb shënoi edhe të dytin më herët me penallti.
Me fitore e nisi edhe Napoli, që mposhti në transfertë Hellas Verona me rezultatin 2-5, në një ndeshje me të vërtetë spektakolare.
Liverpool regjistroi barazimin e dytë radhazi në kampionat, teksa u ndal në shtëpi nga Crystal Palace me rezultatin 1-1. Ishte Zaha i dha avantazhin miqve në minutën e 32-të, ndërsa skuadra e Klopp mbeti me 10 lojtarë në minutën e 57-të, pasi Nunez u ndëshkua me të kuq, për goditje me kokë të kundërshtarit.
Liverpool nuk u dorëzua dhe në minutën e 61, barazuan shifrat me një supergol të Luis Diaz. Pavarësisht rasteve të shumta nga vendasit, nuk ia dolën dot të shënojë golin e fitores.



