
Prej shumë kohësh drejtuesit e Barcelonës kanë nisur të bëjnë llogaritë në lidhje me të ardhmen.
Duke qenë se jemi në merkaton e janarit, një ndër objektivat është natyrisht gjetja e një zëvëndësuesi ideal për Robert Lewandowskin.
Disa emra vijojnë të qarkullojnë në ‘’ Camp Nou ‘’ dhe një ndër të preferuarit është Alexander Isak.
Suedezi, i krahasuar me Zlatan Ibrahimovichin është një referent në ofensivën e Newcastle United, i cili po i mahnit të gjithë në sezonin aktual për arsye se ka gjetur në 15 raste rrugën e rrjetës dhe ka kontribuar me 4 asiste në 22 sfida.
Në një kampionat si ai anglez një statistikë e tillë sigurisht nuk mund të anashkalohet dhe 25 vjeçari mund të jetë lideri i repartit të avancuar të ‘’ Los Cules ‘’ në të ardhmen e afërt.
Megjithatë, ishi i Real Sociedadit nuk është i vetmi opsion dhe në fakt po monitorohet me kujdes edhe Benjamin Sesko, një ndër sulmuesit në modë në kontinentin e vjetër.

Slloveni momentalisht numëron 12 gola dhe 3 asiste në 24 sfida me Leipzigun, i cili spikat për manovrat dhe të qënit efikas në luftën në ajër, cilësi që e kanë afruar me shënimin e golave.
Si Alexander Isak ashtu edhe Benjamin Sesko ofrojnë garanci por janë të ndryshëm në mënyrën se si e interpretojnë lojën.
Spanjollëve domosdoshmërisht i duhet një sulmues pykë për të qenë në lartësinë e duhur në pjesën e mbetur të sezonit.



