
Gazetari i sportit, Edi Hajdini, në emisionin “SportZone” në MCN TV, komentoi situatën në Abissnet Superiore. Hajdini deklaroi se Tirana është me meritë në krye, ndërsa shtoi se merita e madhe është e trajnerit Shehi.
Skuadra e Tiranës pavarësisht dyshimeve, nuk fali dhe nuk toleroi ndaj Skënderbeut. Rivalët vazhdojnë të gabojnë dhe bëjnë që Tirana të jetë në këto pozita, me meritë. Është një meritë e padiskutueshme e trajnerit Orges Shehi që i ka marrë maksimumin skuadrës.
Tirana ka qenë konstante në 3 fazat e para. Nuk e ka pasur këtë rendiment në kampionatet e kaluara.
Në lidhje me Partizanin, ai u shpreh se të kuqve i mungon vazhdimësia, pasi me trajnerin Mehmeti kanë ndryshuar.
E vetmja gjë që i mungon Partizanit është vazhdimësia. Me trajnerin Mehmeti kanë ndryshuar, por nuk kanë bërë një seri fitoresh radhazi. Nëse arrijnë vijimësinë, atëherë i kanë mundësitë për të kapur Europën nga kampionati.
Plori nuk po arrin ta fusë Vllazninë në shinat e duhura. Kur ishte Brdaric, pavarësisht se nuk fitonte, kishte lojën dhe fizionominë e vetë. Tani nuk bind. Nuk besoj se në sfidën Vllaznia-Partizani do të ketë presion. Mendoj se do të ketë shumë tifozë.
Sipas Hajdinit, presidentit të Dinamos, Adrian Bardhi nuk i ka mbetur gjë tjetër, veçse të futet vetë në fushë.
Situata te Dinamo? Presidenti Bardhi i ka bërë të gjitha, tani i mbetet vetëm të zbresë vetë në fushë. Kjo situatë është e pafalshme për lojtarët e Dinamos. E papranueshme që klubi më i rregullt me pagat të rrëzohet nga kategoria. Presidenti Bardhi nuk ka çfarë të bëjë më shumë. Gaboi në fillim. Ndoshta i besoi më shumë personave që ndërtuan skuadrën dhe nuk i besoi personave që kanë luajtur më parë me Dinamon.



