Trajneri i Vllaznisë, Elvis Plori, ka folur ditën e sotme para mediave, në prag të sfidës në gjysmëfinalen e Kupës ndaj Partizanit, e cila do të zhvillohet ditën e enjte.
Plori u shpreh se shkodranët duan të arrijnë finalen, për të marrë më pas trofeun dhe për këtë arsye ndaj Partizanit futen në fushë vetëm për fitore.
Kemi pritur për këtë mundësi, një sfidë me ta është gjithmonë e rëndësishme. Shpresoj që lojtarët të japin më të mirën dhe të fitojmë, është një kompeticion me dy takime. Kërkojmë të jemi në finale, ndeshja është e fortë sepse edhe Partizani këtë do.
Kemi pasur disa mungesa nga sfida me Egnatian. Stafi mjekësor ka bërë më të mirën dhe sot do konkretizohet grupi i lojtarëve. Kupa është një tjetër lojë, ta harrojmë atë me Egnatian dhe humbjen. Lojtarët do jenë në tjetër marsh.
Plori zbuloi se në sfidën e nesërme do të mungojë mbrojtësi Erdenis Gurishta, ndërsa për Latifin tha se është lojtari më i mirë i skuadrës.
Latifin e kemi lojtarin më të mirë të skuadrës edhe me statistika. Forma e tij dhe angazhimi janë një ndihmë e madhe për ne.
Çdo javë që kalon, tanimë kuptohet se intensiteti i ndeshjeve ka specifika. Të përqendrohemi te ndeshja e radhës. Gurishta është i konfirmuar se mungon, me gjithë përpjekjet mjekësore. Besoj se edhe lojtarët që kanë pasur problem, do jenë gati për në fundjavë me Kastriotin. Kemi një emër të madh përballë, edhe ne jemi Vllaznia dhe hyjmë në fushë për maksimumin. Jemi të fortë dhe duam të marrim maksimumin.



