
Edhe pse jo favoritë në letër dhe me historinë jo në favor, Shqipëria do të tentojë surprizën mbrëmjen e sotme në miqësore ndaj Spanjës.
Në orën 19.45 në stadiumin e Espanjol, kuqezinjtë kanë një mision të vështirë: të përballojnë fuqinë e “la furia Roha” skuadrës që synon të fitojë titullin e kampiones së botës në Katar 2022.
Trajneri Edi Reja ka zgjidhur edhe dyshimet e fundit në 11shën që do të zbresë në fushën e lojës dhe pritet të mos bëjë shumë ndryshime nga skuadra që mbylli në vend të tretë kualifikueset e Botërorit.
Strakosha ka fituar balotazhin me Berishën në kuadrat dhe para tij do të jetë treshja tashmë e konsoliduar e serisë A:Gjimshiti,Kumbulla,Ismajli. Kapiteni Hysaj do të zhvendoset në të majtë, pasi Ivan Balliu pritet ta nisë si titullar në krahun e djathtë të mesfushës.
Gjasula e Laçi do të jenë diga e parë e bllokimit të mbrojtësve kundërshtarë, ndërsa Bare ka detyrën të furnizojë me topa Cikalleshin dhe Brojën në repartin e avancuar.
Për trajnerin e spanjollëve Luis Enrike, nuk bëhet fjalë për miqësore dhe do të kërkojë të marrë maksimumin nga formacioni që do të hedhe në fushë.
Një ndërthurje e ekperincës së futbollistëve të vjetër si Zhordi Alba apo Azpilikueta me emra të rinj, ku spikat 17 vjeçari Gavi.
Kombëtarja iberike rikthehet pas 18 vitesh të luajë një ndeshje në Barcelonë dhe interesi është i lartë.Të 40 mijë biletat e vendosura në shitje, tashmë kanë avulluar dhe pritet spektakël edhe në tribuna, ku natyrisht nuk do të mungojnë edhe tifozët kuqezinj.



