Kampioni i peshëngritjes, Briken Calja, ka reaguar nëpërmjet një postimi, ku shkruan se ndjen keqardhje për Federatën Shqiptare të Peshëngritjes, për gënjeshtrat dhe hipokrizitë, në lidhje me shpërblimet financiare, për medaljet e fituara.
Pas deklaratës së ministres Evis Kushi, e cila tha se shpërblimet financiare janë derdhur në llogarinë e peshëngritësit, ky i fundit në një reagim të bërë, thotë se ato janë mbajtur nga Federata Shqiptare e Peshëngritjes.
Sipas Caljas, në llogarinë e peshëngritësit, ka kaluar vetëm urdhri i parë i Ministrisë, për të cilin ka rënë dakord, që ta marrë me pjesë. Kështu ai kërkon mundin dhe djersën e tij në bazë të ligjit për medaljet që i ka sjellë Shqipërisë.
Reagimi i plotë i Briken Caljas:
Sqarim për opinionin publik në lidhje me situatën e krijuar :
Së pari, postimi i bërë dje në profilin tim nuk ka lidhje me shpërblimet financiare të medaljeve të fundit. Për çdo postim në profilin tim mbaj përgjegjësi morale prandaj është e udhës të sqaroj konkretisht disa situata dhe mos t’i lihet vend keqinterpretimeve.
Se dyti, meqë kartat për temën e shpërblimeve u hapen mbi tryezë doja të sqaroja dhe të vija pikat mbi “i” për disa gjëra.
Në lidhje me qeverinë dhe Ministrinë konkretisht i jam vërtet mirënjohës për Ligjin e ndryshuar të Sportit dhe për procedurat korrekte në lidhje me shpërblimet e sportistëve për medaljet e fituara. Ministria e ka bërë punën e vet për këtë temë dhe korrektësia e treguar nga ana e saj meriton veç se duartrokitje.
Në lidhje me Federatën e Peshëngritjes, doja thjesht të shprehja keqardhje për gënjeshtrat dhe hipokrizitë e vazhdueshme në lidhje me këtë temë. Nëse në llogarinë e Brikenit ka ardhur shpërblimi i plotë i medaljeve siç Federata pretendon kjo është lehtësisht e verifikueshme. Në llogarinë e Brikenit ka kaluar vetëm urdhri i parë i Ministrisë, siç dhe unë kam rënë personalisht dakord për ndarjen e shpërblimit në pjesë. Çdo transaksion bankar është lehtësisht i verifikueshëm në sistemet bankare dhe në Thesarin e shtetit, kështu që t’i lëmë mënjanë hipokrizitë dhe gënjeshtrat por t’i japim drejtim punës siç duhet.
Mbaj përgjegjësi morale e ndoshta edhe më tepër për fjalitë e fundit ne lidhje me Federatën e Peshëngritjes dhe procedurat e shpërblimit financiar!
Doja thjesht t’ju falënderoja për përkrahjen dhe shihemi së shpejti në garat e ardhshme.
Brikeni



