
Trajneri i Kosovës Bernard Shaland ka folur sot për çështjet në përfaqësuesen 'dardane' para ndeshjeve të kualifikueseve të Botërorit me Lituaninë, Suedinë dhe Spanjën. Shaland thotë se pavarësisht zërave nuk ka patur asnjë sherr mes lojtarëve. Bëhet fjalë për Edon Zhegrovën dhe portierin Muriç. Ky i fundit gjithsesi u përjashtua sot për arsye disiplinorë, ndërsa mediat në Kosovë shkruajnë se arsye ishte se erdhi i dehur në stërvitje.
“Së pari informatat se pati përleshje mes Aros dhe Edon Zhegrovës janë gënjeshtra, sepse nuk ka pasur diçka të tillë. Sa i përket pjesës tjetër, ne tashmë e kemi marrë vendimin dhe për mua kjo çështje përfundon këtu. Ne do të vazhdojmë të punojmë për ndeshjet tjera dhe do të vazhdojmë tutje me punën tonë. Krejt çka mund të them është se Aro ka thyer masa disiplinore dhe kaq. Të tregoj detaje të tjera do të ishte mungesë respekti për lojtarin. Nuk mund të jap më shumë informata dhe kjo çështje është mbyllur me publikimin e njoftimit,"- u shpreh tekniku zviceran.



