
Trajneri i Partizanit, Arbër Abilaliaj, deklaroi për MCN TV, se të kuqtë duhet të kishin mbyllur ndeshjen, duke shënuar me rastin e pastër të Mensah, i cili gaboi i vetëm me portierin.
Sipas tij, sfida me Egnatian ishte shumë e vështirë, ndërsa kishte rezerva edhe për arbitrimin.
Ishte një ndeshje e vështirë e cila nisi në minutën e 24-t. Kemi punuar shumë dhe lamë shumë pak gjëra. Patëm shumë raste flagrante, ndjej keqardhje. Të tilla raste nuk mund të shpërdorohen. Kur ishim të plotë nuk na rrezikuan.
Një pjesë e parë që nuk kishte shumë raste dhe në të dytën patëm shumë raste, Egnatia nuk na rrezikoi shumë. Ne rrezikuam shumë, ishte një ndeshje e luftuar dhe më vjen keq që sakrifikuam dy mbrojtësit tanë më të mirë të momentit. Të kënaqur për pikën e marrë.
Ne e dinim që në goditjet standarde do të kishim vështirësi, prandaj luajtëm me këta lojtarë. Në goditjet standarde djemtë e menaxhuan mirë lojën. Gjithsesi për mënyrën se si erdhi loja, duhet të kishim përfunduar gjithçka me rastin e Mensah. U ndikuam shumë edhe me ndërrimet. Ishte një ndeshje jo normale për situatën ku e zhvilluam.
E thash edhe më parë, ishte e vështirë të analizosh këtë ndeshje dhe na kishte mbetur vetëm një “kartë”. Këtë kartë donim ta shfrytëzonim në maksimum, por kaq ishin mundësitë për të ndryshuar lojën. Ishte e vështirë pasi u kufizuam edhe nga dëmtimet. Falënderoj çunat për lojën, pasi ishte një barazim me kosto të madhe për ne.
Për shkak të ndeshjes se si u luajt, arbitri edhe mund ta kishte menaxhuar më mirë disa faulle dhe situatat në fushë.
Mba dhe Hadroj kanë kaluar dëmtimet dhe së shpejti do të jenë pjesë e skuadrës.



