
Trajneri i Partizanit, Giovanni Colella ka folur para mediave ditën e sotme, në prag të sfidës që skuadra e tij do të luajë këtë të diel ndaj Erzenit.
Në fjalët e tij, Colella tha se Partizani gëzon një formë shumë të mirë pas fazës përgatitore në Turqi.
Gjithashtu tekniku italian shtoi se të kuqtë do të synojnë vetëm fitoren dhe vazhdimësinë, për të arritur objektivin, që është titulli kampion.
Të rifillosh pas një ndërprerje prej gati një muaji është gjithmonë e vështirë. Ndaj tani na duhet të përqendrohemi totalisht në garën e kampionatit me të gjitha energjitë tona.
Mendoj se përgatitja në Turqi na shërbeu mjaft. Kemi pasur mundësi për të punuar normalisht, sepse vinim pas një periudhe ku kemi luajtur shumë ndeshje në pak ditë si pasojë e kalendarit të ngjeshur.
Në përgjithësi skuadra po gëzon një formë mjaft të mirë. Mund të kemi disa probleme të vogla, por është diçka normale. Grupi është i plotësuar me mjaft lojtarë cilësorë ndaj edhe problemet e vogla që kemi nuk më shqetësojnë aspak.
Ne gjithmonë synojmë tre pikët ndaj çdo kundërshtari , nëse duam të jemi kompetitiv në luftën për titullin kampion. Dhe për të arritur drejt këtij objektivi sigurisht që kërkojmë të kemi vazhdimësinë e rezultateve pozitive.
Mendoj se ky fakt nuk do të ndikojë aspak për ne. Për një skuadër të fortë e cila lufton për objektiva madhor nuk duhet të jetë problem fusha , atmosfera ku luan apo edhe kundërshtari që është përballë. Ne duhet duhet të interpretojmë gjithmonë në çdo ndeshje mënyrën tonë të lojës.



