
Juventusi ka fituar derbin e javës në Serie A pasi ka mposhtur Romën me rezultat minimal 1-0 duke ndjekur hapat e Napolit i cili vazhdon kryesimin e kapionatit.
Kjo ka qenë fitorja e tetë radhazi e “Zonjës” në tetë ndeshjet e fundit të luajtura në shtëpi kundër verdhekuqve në të gjitha kompeticionet.
Goli që ka vendosur ndeshjen ka ardhur në minutën e 18-të dhe është realizuar nga ish-mbrojtësi i Roma-s, Mehdi Benatia, i cili ka mposhtur portierin Alisson me një goditje të fortë nga brenda zonës së rreptësisë. Roma ka provuar të reagojë me Stephan El Shaarawy, por gjuajtja e “Faraonit” është ndalur pa shumë probleme nga portieri Szczesny.
Edhe pjesa e dytë ka qenë fortë me Romën që kërkonte të barazonte rezultatin dhe me Juven që kërkonte 3 pikët me çdo formë.
10 minuta nga fundi i lojës Florezi pati një rast ideal për të barazuar ndeshjen, por goditja e tij u ndal nga traversa.
Me këtë fitore Juventus pozicionohet në vendin e dytë me 44 pikë, 1 pikë më pak se Napoli. Ndërsa Roma mbetet në vendin e katërt me 38 pikë, por me një ndeshje më pak.




