
Federic Veseli është futbollisti i radhës i Shqipërisë, i cili rezulton pozitiv me Covid-19. Klubi i mbrojtësit, Salernitana ka bërë të ditur se pas testeve të kryera, është zbuluar se Veseli është me Covid-19 dhe është izoluar menjëherë për të mos rrezikuar edhe infektimin e të tjerëve.
28-vjeçari luajti titullar ndaj Polonisë, aty ku zëvendësoi Berat Gjimshitin, i cili pësoi një dëmtim në krahun e tij dhe e kishte të pamundur të zbriste në fushë.
Një kambanë alarmi kjo për futbollistët e Shqipërisë, teksa gjatë grumbullimit të Kombëtares për ndeshjet e muajit tetor, pozitiv me Covid-19 dolën edhe Erjon Hoxhallari, Ivan Balliu, Sokol Cikalleshi dhe Klaus Gjasula.



