Shitja e hapur e biletave për Kupën e Botës 2026 ka nxjerrë në pah çmime rekord, ku një biletë për finalen arrin deri në 10,990 dollarë niveli më i lartë i raportuar ndonjëherë për një ndeshje futbolli nga shitja zyrtare.
Çmimet kanë pësuar rritje të ndjeshme krahasuar me fazat e mëparshme të shitjes dhe tejkalojnë ndjeshëm premtimet fillestare të organizatorëve, që parashikonin një maksimum prej rreth 1,550 dollarësh. Krahasuar me finalen e Botërorit 2022 në Katar, ku bileta më e shtrenjtë kushtonte rreth 1,600 dollarë, rritja është drastike.
FIFA po aplikon çmime dinamike, duke i ndryshuar ato sipas kërkesës, ndërsa mungesa e transparencës për strukturën e çmimeve ka shkaktuar konfuzion te tifozët. Në shitjen e fundit, çmimet për kategoritë e biletave të finales u rritën deri në 38%.
Situata është përkeqësuar edhe nga probleme teknike në platformën e shitjes dhe organizimi i dobët i radhëve virtuale, që ka lënë shumë tifozë pa mundësi blerjeje. Ndërkohë, në platformën zyrtare të rishitjes janë shfaqur çmime ekstreme, që arrijnë deri në mbi 82,000 dollarë për një biletë finale.
Ekspertët dhe përfaqësuesit e tifozëve e kanë cilësuar procesin si të paqartë dhe të padrejtë, duke paralajmëruar se kostoja totale për të ndjekur turneun mund të kalojë lehtësisht disa mijëra paund, duke e bërë eventin të papërballueshëm për shumë tifozë.



