Trajneri i Tiranës, Erbim Fagu, foli për MCN TV, pas barazimit me Laçin.
Fagu deklaroi se ka keqardhje për rezultatin, ndërsa shtoi se është e vështirë të ndryshohet rrjedha e ndeshjes, kur ka mungesë organike.
Na vjen keq për rezultatin, por i tillë është futbolli. Mund të ndëshkohesh kur mendon se e ke lojën në kontroll. Shpresojmë të rregullojmë këto situata gjatë ndeshjes, për të ardhmen.
Në stolin e rezervave kemi lojtarë të rinj, por janë pjesë e organikës. Patëm një dëmtim të Metës. U detyruam të ndryshojmë rreshtim, me lojtarë jo në pozicionet e tyre. Është e vështirë të ndryshosh rrjedhën e lojës, kur nuk ke organikën e plotë.
Nuk kemi organikë të pasur. Këta lojtarë kanë luajtur çdo 3 ditë. Armiku jonë është lodhja fizike. Kemi për të rregulluar në aspektin defensiv. Duhet të jemi më agresivë, kur kundërshtari ka topin. Duhet kohë, sepse 3 ditë kam që drejtoj skuadrën.
Kur shënuam golin, duhet të ishim më agresivë. Duhet ta kishim ndeshjen në kontroll. U goditëm në një moment të papritur. Me Vllazninë është ndeshje shumë e vështirë dhe e fortë. Kemi 3 ditë kohë për të përgatitur ndeshjen. Kemi lojtarë me eksperiencë dhe do e kalojmë këtë ngërç. Shpresoj që ndeshja me Vllazninë të jetë një kthesë për Tiranën.
Najdovski u kthye këtë javë me vrapime dhe për një javë shpresojmë të jetë gati. Për Metën, nesër do kemi një përgjigje më të saktë.



