Sipas raportimeve të tabloidit britanik "Daily Mail", Chelsea është shumë pranë një oferte prej 65 millionë paund për të blerë sulmuesin Pierre-Emerick Aubameyang nga Borussia Dortmund. Aktualisht, Blutë e Londrës janë favoritët kryesorë për të siguruar shërbimet e 28-vjeçarit, sidomos pas dështimit në garën për blerjen Romelu Lukaku që u transferua te rivalët e Premier League, Manchester United, ndërkohë që edhe Alvaro Morata duket se ka vendosur të qëndrojë te Real Madrid.
I njëjti burim raporton se transferimi i Aubameyang te Chelsea do të sillte ndryshime edhe te ekipi rival londinez, Arsenal, pasi Dortmund do të hidhej menjëherë në kërkim të zëvendësuesit në repartin e sulmit, ku kandidati më i mundshëm për tu bashkuar me ekipin gjerman, konsiderohet sulmuesi i topçinjve, francezi, Olivier Giroud. Nuk mund të mohohet fakti që Aubameyang është një sulmues rrace, madje i konsideruar si një prej më fatalëve në Euroë, me plot 40 gola të shënuar në të gjitha kompeticionet sezonin e fundit me Borussia Dortmund.



