
Vllaznia përforcohet në merkato. Shkodranët kanë njoftuar transferimin e sulmuesit Fahrudin Djurdjevic. 29-vjeçari vjen nga kampionati maqedonas, aty ku sezonin e kaluar ishte pjesë e Rabotnickit. Sulmuesi zhvilloi një kampionat shumë të mirë në Maqedoninë e Veriut, teksa arriti të shënojë 12 gola.
Brdaric merr kështu një lojtar të rëndësishëm në skuadër, pas disa largimeve. Në ditët e ardhshme priten edhe afrime të tera te skuadra shkodrane, që kërkon të plotësojë ekipin, për të qenë gati për ndeshjet në Conference League. Vlen të theksohet se deri tani nga Vllaznia janë larguar lojtarë të rëndësishëm, si Marku, Imeri, Isaevski dhe Shehi.
“KF Vllaznia bën të ditur se mbrëmjen e sotme ka arritur marrëveshjen me sulmuesin Fahrudin Djurdjevic. Ai do të jetë pjesë e skuadrës tonë për sezonin e ardhshëm dhe do të bashkohet me të nesër në Podgoricë për të udhëtuar së bashku më pas drejt Zllatiborit për stërvitje. Djurdjevic është 29 vjeç dhe përpos aktivizimit në kampionatin maqedonas, ka luajtur edhe në kampionate të tjera dhe me eksperiencën e tij pritet të jetë një element i rëndësishëm për Vllazninë si në ndeshjet europiane ashtu edhe në sezonin e ri të futbollit shqiptar“, thuhet në njoftimin e Vllaznisë.



