Milani ia doli të fitojë titullin kampion ditën e djeshme, pas plot 11 viteve pritje. Menjëherë pas përfundimit të sfidës me Sassuolo, në transfertë, fusha u pushtua nga tifozët e Milanit, të cilët nisën festën me lojtarët e tyre.
Megjithatë skena aspak të hijshme, janë regjistruar te sektori ku qëndronin ultrasit “Curva Sud”. Në një video që po qarkullon në rrjetet sociale, shihen ultrasit kuqezi, të cilët dhunojnë tifozët e tjerë, me shuplaka në fytyrë apo edhe goditje me grushte.
Shkak për këtë mendohet të jetë fakti se gjatë ndeshjes, ultrasit i kishin komunikuar tifozëve që të mos futeshin në fushë pas ndeshjes, diçka që nuk u respektua nga një pjesë e tifozëve.
Kjo ka irrituar ultrasit, të cilët kanë dhunuar pjesën tjetër të tifozëve.



