
Drejt fundit të sezonit skuadrat me emër të arenës europiane janë duke i bërë mirë llogaritë për prurjet e verës. Shpërthimi i talentit Haaland vazhdon të tërheqë vëmëndjen e gjigantëve europianë. Orët e fundit, një ndër pretendentët e tij, pikërisht skuadra e Chelseat, ka llogaritur përfshirjen e sulmuesit Timo Ëerner për ta konkretizuar njëherë e mirë këtë operacion, edhe pse në plan të parë parashikohet shumë i vështirë për arsye se Real Madridi, Manchester City, Manchester United dhe Barcelona e kanë shprehur me kohë dëshirën për ta patur në gjirin e tyre.
Një tjetër skuadër, e cila është përfshirë në këtë kontekst orët e fundit është Real Madridi. Bosi Florentino Perez ka marrë një vendim që ka shkaktuar një lloj impakti në botën e futbollit. Në lidhje me një rikthim të mundshëm të Cristiano Ronaldos në “Santiago Bernabeu”, manjati spanjoll ka dhënë përgjigje negative për arsye se ka konsideruar çështje prioritare dy talentët Erling Haaland dhe Mbappe, të cilët janë duke magjepsur me rendimentin e tyre në fushën e lojës.
Një çështje që ka marrë vëmendjen kryesore në kohët e fundit është edhe e ardhmja e Alvaro Moratas tek Juventusi. Sipas raportimeve të prestigjozes italiane, “ Tuttosport”, bardhezinjtë tashmë janë një hap larg për të siguruar qëndrimin e golashënuesit në “Allianz Stadium”. I vetmi dyshim i direktivës nga Torino është se çfarë formule do të ndjekë në lidhje me Alvaro Moratën, qëndrimi i huazuar ose blerja përfundimtare e kartonit të tij për shifrën e 45 milionë eurove.
Kësaj liste i bashkangjitet edhe gjiganti anglez, Manchester United, që do t’i duhet të hedhë hapat e duhur në merkato sepse sipas “Daily Star”, 23-vjeçari Donny van de Beek ka kërkuar largimin në fundin e sezonit. Mbërritja e holandezit në “Old Trafford” gjeneroi mjaft entuziazëm tek “The Red Devilsat”, por nuk e ka bindur mjaftueshëm numrin një të pankinës Ole Gunnar Solskjaer dhe ka kaluar automatikisht në plan të dytë për teknikun norvegjez. Megjithatë, parashikohet se dyert për të ardhmen e tij do të mbeten të hapura sepse karakterizohet nga një talent i padiskutueshëm.



