Silvinjo, i surprizoi të gjithë në listën për Europianin, aty ku në repartin e mesfushës, ka rikthyer Amir Abrashin dhe ka ftuar për herë të parë Medon Berishën.
Në lidhje me këto, Silvinjo, deklaroi se te Shqipëria, duhet grinta e një lojtari si Abrashi, ndërsa për Berishën, tha se e ndjekin prej kohësh.

Preferoj të flas për lojtarët që kam në grumbullim, nuk është e lehtë. Pamë edhe Spanjën që ftoi 35 lojtarë dhe trajneri i Spanjës dukej që nuk e kishte të lehtë. Abrashi ka shumë eksperiencë, është i vetmi që ka luajtur në Euro 2016 nga mesfushorët. Abrashi me grintën dhe dëshirën përfaqëson atë që duam të japim te Shqipëria.
Berisha është lojtar i ri që e ndjekim prej kohësh. Ka shumë talent dhe e kemi ndjekur prej kohësh dhe është e ardhmja. Edhe Mitaj erdhi e dha mundësinë duke treguar që e meriton atë vend. Berisha është gati për Kombëtaren e madhe.
Kemi besim te ky grup. Ka lojtarë që e meritojnë të jenë, i njohim, por këto janë rregullat e UEFA. Kjo është jeta, nuk është aspak e lehtë. Kemi studiuar lojtarët tanë dhe rivalët. Ka 7-10 lojtarë që janë jashtë dhe e meritojnë të jenë me ne sot. Kemi ndeshjet miqësore ku do të provojmë shumë lojtarë, jam i keqardhur që mungojnë disa emra, por kjo është detyra e një trajneri.



