
Shqipëria e nisi me humbje rrugëtimin në kualifikueset e Europanit, teksa u mposht me rezultatin 1-0 nga Polonia në transfertë. Ndonëse kuqezinjtë treguan një lojë të mirë, përsëri rezultati nuk kënaq presidentin e FSHF, Armand Duka.
Ky i fundit në një intervistë të dhënë për “fshf.org”, deklaroi se pavarësisht lojës, ekipi dhe stafi nuk duhet të kënaqen me humbjen. Sipas tij, skuadra duhet të rritet për të vazhduar rrugën drejt kualifikimit në Europian.
E nisëm këtë rrugëtim kualifikues ndaj skuadrës së renditur si kokë grupi. Sigurisht që e dinim që do të ishte një ndeshje e fortë, por ne kishim përgatitur gjithçka për të dalë me një rezultat pozitiv nga kjo transfertë. Për lojën e zhvilluar dhe atë që dhamë në fushën e lojës duhet të kishim marrë diçka më shumë, por kjo nuk ndodhi. I përgëzoj lojtarët, ashtu si edhe stafin teknik për impenjimin e treguar por koha e humbjeve dinjitoze është e tejkaluar dhe ne kurrsesi nuk mund të kënaqemi me një humbje të tillë. Duhet të rritemi, të punojmë më shumë dhe të jemi më me këmbë në tokë. Duhet ta kuptojmë të gjithë, ne, ekipi e stafi drejtues që kemi humbur në Varshavë.
Nuk mund të hyj në aspekte teknike. Do gaboja nëse do e bëja diçka të tillë. Sigurisht që është detyrë e stafit teknik të analizoj në mënyrën më të mirë këtë ndeshje të parë eliminatore dhe të nxjerrë konkluzionet e duhura se çfarë shkoi mirë dhe se ku do duhet të fokusohemi për tu përmirësuar dhe parë atë skuadër që të gjithë ne duam. Për të fituar një ndeshje dhe për të arritur objektivat e rëndësishëm duhet ta ҫosh topin në rrjetë, duhet të konkretizosh rastet e krijuara. Ne këtë nuk po e bëjmë dhe në të tilla nivele e dimë të gjithë se vlejnë pikët më shumë sesa kujtimi i një ndeshjeje të tillë. Të gjithë duhet të bëjmë diçka më shumë.
Duka deklaroi se ndeshjet e muajit qershor do të jenë shumë të rëndësishme për Shqipërinë dhe një hap fals nuk mund të lejohet.
Qershori na rikthen në shtëpi me ndeshjen ndaj Moldavisë dhe transfertën e Ishujve Faroe. Dy ndeshje shumë shumë të vështira. Do të kemi përballë një Moldavi krejt tjetër nga ajo e tre viteve më parë, kjo u pa edhe në ndeshjen që ato luajtën me Republikën Ҫeke. Janë shumë të organizuar, një skuadër e vendosur mirë në fushë dhe shumë të kujdesshëm. Duhet të zbresim në fushën e lojës të karikuar për të arritur fitoren. E njëjtë edhe për transfertën e Torshavnit, është një nga kundërshtarët më të vështirë në fushën e tyre. Moldavia e tregoi forcën e vet ndaj Ҫekisë ashtu si Ishujt Faroe pak muaj më parë kur mundën Turqinë në shtëpi. Intensiteti, përkushtimi dhe përqendrimi do duhet të jenë maksimal. Dy ndeshjet e qershorit janë më të rëndësishmet për ne. Nëse gabojmë largohemi nga objektivi.
Ne jemi totalisht në lojë dhe objektivi jonë mbetet i pandryshuar: kualifikimi. Kemi përpara 7 finale. Janë shtatë ndeshje ku ne duhet të jemi perfekt në çdo aspekt dhe të arrijmë të marrim maksimumin në çdo ndeshje. Nuk lejohen hapat fals. Duhet të luftojmë për çdo pikë. Kjo është ajo që duhet të bëjmë dhe pa diskutim që objektivi jonë do të jetë realizuar. Cilësitë skuadra i ka, stafi teknik është shumë i impenjuar për të bërë më të mirën ashtu si edhe Federata, opinion publik dhe mediat që e kanë mbështetur skuadrën dhe do të vazhdojnë ta bëjnë.



