Lajme të mira në horizont për të gjithë futbolldashësit që muajin gusht do ta kenë të mbushur me dy aktivitete tepër të rëndësishme Europiane siç është Champions dhe Europa League. Ashtu siç pati deklaruar edhe më herët, presidenti i UEFA-s, Aleksandër Ceferin, thotë se shpreson që ndeshjet të luhen me tifozë. Gjithsesi numri 1 i UEFA-s në intervistën e dhënë për rrjetin e lajmeve spanjoll EFE deklaron se kjo nuk duhet të ndodhë me çdo kusht, pasi parësore është shëndeti i tifozëve.
“Jemi në kontakt autoritetet portugeze dhe gjermane. Të martën kam biseduar personalisht me kryeministrin portugez. Ne do të ndjekim rekomandimet e autoriteteve dhe do të marrim një vendim së shpejti, me shumë mundësi para shortit që zhvillohet me 10 korrik. Do të donim që tifozët të jenë të pranishëm, por nuk mund të rrezikojmë sigurinë e atyre që përfshihen në ndeshje,”- është shprehur Ceferin për EFE.
Champions League do të rinisë nga data 7 gusht dhe do të përfundojë me 23, me të gjithë ndeshjet që do të luhen në Portugali dhe konkretisht në Lisbonë. Ndërkohë Europa League do t’i luajë të gjithë ndeshjet e saj në Gjermani. Ideja është që stadiumet të mos mbushën në 100% të kapacitetit të tyre, por jo të jenë edhe bosh.



