
Kanë kaluar disa muaj dhe Chelsea ka arritur në konkluzionin e dërgimit të një oferte në adresë të Monacos për Aurelien Tchouamenin. Për mesfushorin edhe Real Madridi ka treguar interes por ‘’ Blutë e Londrës ‘’ janë të ndërgjegjshëm për rrezikun që i kanoset nëse do ta shtyjnë më gjatë këtë çështje. 50 milionë euro ka menduar miliarderi Roman Abramovich për t’ia vjedhur perlën francezëve i cili konsiderohet nga specialistët si ‘’ Pogbaja i ri ‘’.
Ideja e kryeqytetasve është huazimi deri në fund të sezonit për të parë se çfarë impakti do të lërë tek një skuadër në të cilën duhet të japësh gjithmonë maksimumin për të fituar vendin e titullarit e më pas të marrin një vendim definitiv për Aurelien Tchouamenin .
Transferimi i 21 vjeçarit në ‘’ Stamford Bridge “ do të ishte një avantazh jo vetëm për Chelsean por edhe për Premier Leaguen sepse automatikisht do të rritej niveli i këtij kampionati dhe Thomas Tuchel do të kishte një alternativë më tepër për ti shërbyer kampionëve në fuqi të Champions Leagues .
Skuadra nga ‘’ Principata ‘’ është e vetëdijshme se herët a vonë Aurelien Tchouameni do të largohet nga ‘’ Luigji II ‘’ sepse pikërisht tani konsiderohet momenti oportun për të provuar veten tek një ndër gjigandët e kontinentit të vjetër . Loja që zhvillon lojtari nga Rouen i afrohet asaj të Paul Pogbas dhe Chelsea nuk mendon ta shpërdorojë këtë shans për ta fuqizuar mesfushën .
Duke qenë se jemi vetëm në fillim të merkatos , arritja e këtij akordi do ti jepte më shumë kohë anglezëve për të firmosur me të tjerë elementë që preferohen nga ishi i Borussia Dortmundit të cilin e pret një fazë e dytë e sezonit shumë kompetitive , gjatë të cilës duhet të mbrojë trofeun e Champions Leagues dhe njëkohësisht të luftojë për të dominuar në kompeticionet e tjera pjesëmarrëse.
Deri më tani Aurelien Tchhouameni numëron 15 ndeshje dhe 2 gola dhe është drejt një rruge e cila mund të përcaktojë shumë për karrierën e tij .



